Bashkë edhe pas ndarjes: 10 çiftet VIP që ruajtën miqësinë

Xing

E Martë 14 Maj 2019, 22:10 / Kategoria XingFeed /  Read in English

Blero Muharremi dhe Teuta Krasniqi

Në vitin 2014, këngëtari i njohur Blero Muharremi u nda nga bashkëshortja e tij, Teuta Krasniqi. Çifti u bënë prindër të vogëlushes Tara, për hir të së cilës tashmë ruajnë marrëdhënie të mira me njëri-tjetin. Madje edhe partnerja e re e Bleros, Afrona Dika, ka marrëdhënie të mira me ish-bashkëshorten e partnerit të saj.

Kujtojmë se Blero dhe Afrona do të martohen në shtator të këtij viti.

Adrola Dushi dhe Adis Patushi

Dy vite më parë, modelja e njohur Adrola Dushi i dha fund marrëdhënies me partnerin e saj, Adis Patushin. Ajo u largua në Shtetet e Bashkuara së bashku me djalin e tyre, Troin, për të cilin kanë deklaruar se bëhen gjithmonë bashkë që atij të mos i mungojë dashuria e të dy prindërve. Madje së fundmi, ata e festuan së bashku ditëlindjen e Troit në Paris.

Albi Nako dhe Klaudia Pepa

Në qershor të vitit 2017, koreografi i njohur Albi Nako dhe balerina Klaudia Pepa konfirmuan ndarjen, duke njoftuar se gjithçka mes tyre është mbyllur me mirëkuptim. Klaudia u zhvendos në Itali ku ndoqi karrierën e saj si balerinë dhe tashmë po korr sukses të madh, ndërsa Albi Nako nisi një marrëdhënie të re me balerinën e njohur Alba Hoxha. Pavarësisht divorcit, Klaudia ruan marrëdhënie të mira me ish-bashkëshortin dhe partneren e tij dhe herë pas here komplimentojnë sukseset e njëri-tjetrit në rrjete sociale.

Bora Zemani dhe Vin Veli

Bora Zemani dhe Vin Veli ishin një ndër çiftet më të pëlqyer të publikut shqiptar. Dyshja i dhanë fund lidhjes së tyre në vitin 2017-të dhe në disa deklarata ata janë shprehur se ndarja erdhi si vendim i të dyja palëve. 2 vite pas ndarjes Bora dhe Vini ruajnë marrëdhënie të mira mes tyre dhe sigurisht një arsye për të qëne pranë është vogëlushi i tyre Arbor.

Stine dhe Roza Lati

Në vitin 2009, këngëtari i njohur Stine dhe moderatorja Roza Lati i dhanë fund marrëdhënies së tyre 3-vjeçare. Megjithëse të ndarë, ata ruajtën një marrëdhënie miqësore mes tyre dhe janë parë shpesh në shoqërinë e njëri-tjetrit. Roza e ka ftuar Stinen disa herë në emisionet e saj, ndërsa pas ndarjes së tij nga Graciela, me të cilën ka edhe një vajzë, Roza tregoi se kishte marrëdhënie të mirë edhe me ish-partneren e ish-të dashurit, duke e ftuar edhe Gracielën në emision.

Stine dhe Graciela

Këngëtari i njohur i muzikës R&B, Stine shpesh është vënë në qendër të mediave rozë për shkak të historive të tij të dashurisë. Lidhja e tij e fundit ka qenë me këngëtaren, Graciela me të cilën ka edhe një vajzë.

Dyshja qëndruan bashkë për disa vite dhe në fund të vitit që lamë pas ata vendosën ti japin fund marrëdhënies. Lajmin e bëri të ditur vetë Stine nëpërmjet një postimi në Instagram ku tregonte se pavarësisht ndarjes, ata gëzojnë respekt maksimal për njëri-tjetrin. Në një intervistë të dhënë së fundmi, këngëtari u shpreh se ata i kanë lënë dyert e hapura për një mundësi të dytë në të ardhmen transmeton “Xing.al”.

Albërie dhe Mentor Hadërgjonaj

Këngëtarja e njohur Albërie Hadërgjonaj i ka dhënë fund vite më parë martesës së saj me Mentor Hadërgjonaj, me të cilën ka 2 vajza. Gjatë intervistave ajo ka treguar se pavarësisht ndarjes, ata kanë ruajtur respekt dhe marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin.

“Ai është njeri shumë i mirë. Mua më ka ndihmuar dhe më ka bërë kjo që jam sot, ndonëse unë kam punuar fort dhe kam dashur të arrij shumë në jetë. E kam dashur shumë, e dua dhe do vazhdoj ta dua, por ka qenë problematik dhe ai e di këtë… derisa u lodha dhe i ngrita duart.”- është shprehur Albëria.

Bleona Qereti dhe Ganiu

Në vitin 2014 këngëtarja e njohur Bleona Qereti i dha fund marrëdhënies së saj me Ganiun, duke shpjeguar se gjithçka erdhi për shkak të karrierës së saj, të cilën me çdo kusht dëshironte t’a ndiqte dhe Ganiu ishte treguar mirëkuptues.

“Kam folur hapur për Ganin, sepse, është një lidhje e cila u prish për shkak të karrierës time, por, ishte një prishje me koncensus, sepse, unë doja të ndiqja një ëndërr timen dhe Gani ka qenë shumë i mirëkuptueshëm për këtë fakt dhe më tha “Bleona nëse ti nuk shkon në Amerikë për të arritur ëndrrën tënde, ti do rrish në shtëpi dhe do më urresh, do gatuash, do shohësh lajmet si grua shtëpiake, dhe do shikosh njerëzit tjerë që po e jetojnë ëndrrën tënde, kështu që nuk ka sens të rrish e martuar me mua kur ti ke një ëndërr” dhe kur e kam parë që është kaq i mirëkuptueshëm unë lirshëm flas mirë për të.

Nuk kam ndërmend të kthehem me të, pasi, gjërat kur mbarojnë-mbarojnë. Ai është prapë në jetën time, por, në një tjetër formë, që futet brenda idesë së “familjes.”- ka treguar Bleona.

Dua Lipa dhe Ledri Vula

Para se këngëtarja me famë ndërkombëtare, Dua Lipa të kapte majat e suksesit, kishte një histori dashurie me reperin e njohur Ledri Vula. Ata u ndanë pas disa muajsh lidhje dhe thuhet se arsye për këtë janë bërë angazhimet profesionale. Por duket se ata e kanë lënë pas këtë kohë dhe tani kanë marrëdhënie shumë të afërta si miq. Jo vetëm këngëtarët por edhe familjet e tyre respektive gëzojnë respekt maksimal. Kujtojmë se Ledri dhe Dua ndanë të njëjtën skenë muzikore në festivalin "Sunny Hill Festival".

Ledri Vula dhe Dafina Zeqiri

Në vitin 2012, reperi Ledri Vula dhe Dafina Zeqiri i dhanë fund lidhjes së tyre disa-mujore dhe kanë treguar here pas here se kanë ruajtur marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin. Madje, ata kanë sjellë disa bashkëpunime dhe e mbështesin vazhdimisht njëri-tjetrin në karrierën e tyre.

 “Jemi shumë më të mirë si shokë sesa si të dashur. Dafinën e kam shumë shoqe dhe më mirë funksionojmë kështu”- është shprehur Ledri gjatë një interviste./ Xing.al

Këshilla për Marketingun